Projekti S4J

‘Aftësi për Punë’ (S4J) është një projekt i mandatuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i cili zbatoher nga organizata zvicerane Swisscontact.
Qëllimi kryesor i projektit “Aftësi për Punë” (S4J) është të ndihmojë shkollat profesionale në të përmirësohen, në mënyrë që t’u ofrojnë të rinjve në Shqipëri arsimin dhe formimin më të mirë profesional. Ndërtimi i aftësive më të mira profesionale do t’i ndihmojnë të rinjtë të gjejnë një punë që e adhurojnë dhe që paguhet mirë.
Për të arritur këtë, projekti e ka fokusuar punën e tij në tri fusha kryesore:

  1. Përmirësimi i të nxënit, kthimi i tij në aktivitet tërheqës dhe argëtues, si për nxënësit ashtu dhe për mësuesit, duke futur në përdorim teknologji dhe mënyra të reja në procesin e të nxënit, si dhe në mjedisin e punës;
  2. Afrimi i biznesit tek shkollat dhe i shkollave tek biznesi, duke nxitur marrëdhëniet një-me-një me kompanitë për të zhvilluar programe trajnimi për mësuesit, duke ofruar praktika profesionale për nxënësit dhe duke u përfshirë në skemat e zhvillimit gradual të aftësive dhe në skemat e sponsorizimit;
  3. Sigurimi i mundësive për orientimin e karrierës dhe të nxënit gjatë gjithë jetës për nxënësit dhe kursantët dhe lehtësimi i përfshirjes së tyre në tregun e punës.

Projekti fokusohet në 4 sektorë me potencial për rritje dhe krijimin e vendeve të punës në Shqipëri: Hoteleri-Turizmi, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), Tekstili dhe Ndërtimi (me fokus tek teknikat moderne të ndërtimit dhe kursimi i energjisë).

Ofruesit e arsimit dhe formimit profesional që mbështeten nga projekti janë:

Ndërhyrja e projektit në shkollën Industriale ‘Pavarësia’

Njësia e Zhvillimit

Krijuar me mbështetjen e projektit ‘Aftësi për Punë’, kjo njësi vepron në mbështetje të menaxhimit të shkollës dhe kujdeset për: marrëdhëniet me bizneset dhe praktikat profesionale; orientimin për karrierën; zhvillimin e kurrikulave; gjurmimin e të diplomuarve; trajnimin e mësuesve; pjesëmarrjen në projekte zhvillimore dhe marketingun e shkollës. Këto funksione udhëhiqen nga mësues të shkollës, të cilët punojnë në mënyrë vullnetare për Njësinë e Zhvillimit.

Praktikat profesionale

Nxënësit e shkollës zhvillojnë aktualisht praktikën profesionale pranë bizneseve partnere të shkollës. Praktika mundëson ekspozimin e nxënësit ndaj botës së punës, ndërkohë që jane ende duke ndjekur shkollën. Në këtë mënyrë, nxënësit kanë mundësi të perfeksionojnë aftësitë e tyre profesionale dhe të bëhen më konkurrues për tregun e punës.

Gjurmimi dhe statistikat

Për matjen e performancës së shkollës lidhur me përgatitjen e të rinjve konkurrues për tregun e punës, na vjen në ndihmë sistemi i gjurmimit. Ky sistem, i krijuar me mbështetjen e projektit, nënkupton mbledhjen e statistikave lidhur me situatën e punësimit të nxënësve të diplomuar.

Orientimi për karrierën

Me mbështetjen e projektit ‘Aftësi për Punë S4J’, shkolla jonë ka nisur të ofrojë shërbimin e orientimit në karrierë për nxënësit e interesuar, si dhe për ata të sapo-regjistruar në klasën e X-të, në mënyrë që të jenë të mirë-informuar përpara se të zgjedhin drejtimin profesional.

Për nxënësit e klasave të XI-ta dhe XII-ta, shkolla ofron shërbimin e këshillimit për karrierën, duke i mundësuar më shumë informacion lidhur me profilet profesionale që mund të zgjedhin dhe profesionet që mund të marrin në të ardhmen.

Marrëdhëniet me Biznesin

90 biznese lokale dhe kombëtare mbështesin shkollën me praktika profesionale për nxënësit, sponsorizime dhe angazhohen për përmirësimin e ofertës profesionale.

Mënyrat e reja të të nxënit

Studimet moderne tregojne se përdorimi i teknologjisë dhe lojrave e bën orën e mësimit më praktike, të thjeshtë për t’u kuptuar dhe më argëtuese. Me ndihmën e projektit, mësues të shkollës janë trajnuar dhe aplikojnë çdo ditë teknika moderne mësimdhënie gjatë orës së mësimit, si në lëndët profesionale, edhe në ato të përgjithshme.

Infrastrukturë moderne

Projekti Aftësi për punë ka mbështetur shkollën me ambiente moderne për zhvillimin interaktiv të mësimdhënies si klasat e mësimit të kombinuar e pajisur me laptop, Smart -Tv, laboratorë IT, infoteka, akses në internet dhe aparat të fundit fotokopjues me shumë funksione.

Trajnimi i mësuesve dhe instruktorëve

Ofrimi i arsimit cilësor është prioritet për shkollën tonë. Me mbështetjen e projektit ‘Aftësi për Punë’, mësuesit dhe instruktorët e shkollës tonë kanë marrë pjesë në trajnime të shumta, me qëllim përditësimin e njohurive dhe aftësive të tyre, për t’i vënë në shërbim të orës së mësimit.

Disa prej këtyre trajnimeve janë ofruar në bashkëpunim me kompanitë lider të industrisë, për shembull trajnim nga ‘Plaza’ Hotel në Tiranë për mësues të degës Hoteleri-Turizëm. Mësues të shkollës tonë janë certifikuar si instruktorë CISCO dhe tashmë integrojnë kurset e platformës NetAcad në orën e mësimit, si materiale mësimore.